Inxhinierët italianë, autorë të kolonave…
Inxhinierët italianë, autorë të kolonave urbane e arkitekturore të Vlorës, në gjysmën e parë të shekullit XX
G
Godina, pronë e familjes Papa, një familje mjaft e njohur tregtarësh në qytetin e Vlorës, Shqipëri, prej fillimit të shekullit XX, vlerësohet si një objekt me vlera arkitekturore të spikatura në qytet. Ajo përfaqëson një moment mjaft të rëndësishëm, jo vetëm të ndërtimit por edhe të zhvillimit të arkitekturës në këtë qytet bregdetar, në jugperëndim të vendit.
Godina u ndërtua në vitin 1925 dhe përkon me periudhën kur stili arkitekturor neoklasik modern, po zëvendësohej nga stili modern në ndërtim. Vetë fasada e këtij objekti, është një përzierje e këtyre stileve. Kohëndërtimin e banesës e dëshmon edhe viti i skalitur në fasadën kryesore të këtij objekti, që ndodhet në një nga vendet më të dukshme të Vlorës së Vjetër, në anë të rrugës “Perlat Rexhepi”. Ajo është blerë nga vëllezërit Papa, në vitin 1933, pasi kishte qenë më parë pronë e një familjeje tjetër tregtarësh gjithashtu të njohur. Hapësira përdhese e godinës ka shërbyer për mjedise shërbimi, kapeleri dhe riparim këpucësh, ndërkohë që dy katet e tjera, ishin hapësira banimi.
Kjo strukturë funksionale e objektit, është ruajtur pothuajse e pandryshuar në dekada, çka duket edhe sot në mënyrën e konceptimit të hapësirave të brendshme të saj. Godina ka dy hyrje, respektivisht në fasadën kryesore dhe atë nga ana veriore. Një portë prej druri, ndan hapësirën tregtare të katit të parë me mjedisin e brendshëm, ku, përmes shkallëve prej betoni, me parmakë metalikë dhe druri, ngjitesh në katin e dytë dhe të tretë.
Ndërkohë, një shkallë spirale në fasadën veriore të godinës, të çon në katin e dytë të saj, ku spikat një sallon i bollshëm, me planimetri të thyer, që shërben si hapësirë për të komunikuar me nëntë dhoma me përmasa të ndryshme.
Hapësira e brendshme e banimit në të dy katet është e thyer, duke mos ruajtur uniformitet në konfigurimin e ndarjes së mjediseve. Madje, në këtë këndvështrim, dy katet ndryshojnë nga njeri tjetri.
Në fasadën veriore të godinës, spikat një verandë e bollshme, e konceptuar si pjesë funksionale e saj dhe që nuk e ndeshim në objekte të tjera të zonës. Katet kanë një lartësi respektive prej 3.5 metrash, që përbën një parametër mjaft domethënës dhe që i jep frymëmarrje konstruktive hapësirës së saj të brendshme.
Dyert e dhomave të brendshme, të dekoruara me një konfiguracion të thjeshtë por tërheqës, janë punuar me material prej druri pishe. Objekti, dallohet për vlerat arkitektonike, me një fasadë të tipit barok. Kati i parë ka shërbyer për tregti, ndërsa kati i dyti për banim.
Godina ka një fasadë të pasur me elementë dekorativë. Dritaret dhe ballkonet janë të stilizuara dhe dekoruara me elementë dekorativë, që ja rrisin shumë vlerat arkitektonike këtij objekti. Është ndërtesë tre katëshe, e mbuluar me soletë. Në pjesën e përparme ka ballkone të vegjël me parapet hekuri, të stilizuara . Dritaret dhe fasadat e xhamit janë të pasura, gjithashtu, me elementë arkitektonikë. Sistemi konstruktiv, ka si bazë elementet tra-kollonë. Është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, me Vendim Nr.654 të datës 09.11.2006.
Po e përshkruajmë me hollësi këtë godinë-banesë, për shkak se, ajo vlerësohet si një nga objektet më përfaqësuese për vlerat e saj arkitektonike, jo vetëm në zonë, por në të gjithë qytetin e Vlorës.
Në kohën kur u ndërtua dhe shumë vite më pas, ishte një prej dy godinave me lartësi trekatëshe në të gjithë zonën, krahas asaj të tregtarëve të njohur hebrej Pepe Levi dhe Rafael Jakoel, që ndodhej vetëm 40-50 metra më në perëndim. Madje, këto dy objekte të ngjashme, ndër më të mirat dhe të ndërtuara pothuajse në të njëjtën kohë, dukej sikur përfaqësonin simbolikisht dimensionin e përafërt ekonomik të pronarëve të tyre, që klasifikoheshin mes njerëzve më të pasur në Vlorë.
Godina, ka një planimetri në formën e një trapezi të çrregullt, me një lartësi prej 10.5-11 metra. Kjo dukuri është e pranishme dhe karakteristike në mjaft ndërtime të realizuara pas viteve 1920-të në qytetin e Vlorës, ku, në pikëpamje arkitekturore, mjaft ndërtesa shfaqen si volume me planimetri me forma të çrregullta gjeometrike, rrjedhojë e përshtatjes me dimensionet dhe formën e pronës(truallit).
Në gjendjen fillestare të saj, godina ishte me çati me elementë druri, të mbuluar me tjegulla “Marsejeze” dhe të alternuar me një hapësirë të kufizuar tarrace, e qarkuar përgjatë gjithë perimetrit me një bordurë betoni të dekoruar dhe me katër vazo gjithashtu dekorative. Por, në vitet 2000, çatia u zëvendësua plotësisht me tarracë me trarë betoni.
Në këndvështrimin arkitekturor, godina është e stilit neoklasik modern, me tendencë drejt atij modern. Kjo përkon edhe me periudhën kur u ndërtua dhe kur arkitektura në Shqipëri po pësonte transformime, duke u bërë më e thjeshtë dhe më funksionale.
Edhe kjo godinë e projektuar, është një përzierje e ndikimit të arkitekturës italiane në Vlorë, por edhe e traditës lokale në ndërtim. Është periudha kur, banesa qytetare e tipit të ri, dominon tërësisht karakterin e ndërtimeve në Vlorë dhe në qytete të tjera të vendit. Arkitektura, apo arkitektët italianë, që punuan në Shqipëri dhe në Vlorë, si Gherardio Bosio, Morpurgo etj, respektuan këto vlera të krijuara, në kuadrin e traditës së trashëguar.
Karakteristika kryesore në këtë banesë, janë dy ballkonet në fasadën kryesore të realizuara respektivisht me kangjella metalike, të punuara me ornamente të ndryshme, apo prej guri e betoni, të zbukuruara me kolonada. Gjithashtu spikasin grilat, dekoracionet e thjeshta të realizuara në formën e figurave gjeometrike, etj.
Motivi që hasim më dendur në këtë aspekt, është ai i krijimit të një kornize të dalë në formën e një vetulloreje në pjesën e sipërme të hapësirës së dritareve, apo në ndarjen mes kateve, si edhe në tarracë.
Suvatimi dekorativ, i favorizuar edhe nga përdorimi i tullës si material ndërtimi, ka favorizuar realizimin e një dekoracioni tërheqës, duke i dhënë banesës karakter monumental. Kjo, sepse, suvatimi, si një teknikë me një kosto më të ulët, mundëson realizimin e formave dhe motiveve dekorative të shumëllojshme.
Elementët dekorativë janë realizuar me kanelura, kornizime të dyfishta, me profile të lakuara, ndërsa në zbukurimin e dritareve dhe dyerve të ballkoneve, janë përdorur edhe frontonet trekëndëshe ose në formë harku, kornizimet e thjeshta të gjithë perimetrit etj.
Në trajtimin dekorativ në fasadë mbizotërojnë linjat e drejta, por nuk mungojnë edhe motive më të ndërlikuara, si imitime të antikitetit në vazot dekorative në tarracë.
Nga pikëpamja e konstruktit, dallojmë përdorimin e kolonave dhe trarëve prej betoni, apo prej çeliku, të soletave prej betoni në ndarjen mes kateve, si edhe përdorimin e tullave në ndërtim, apo vendosjen e tyre në formën e gjysmëharkut në shina çeliku. Krahas këtyre, në mjediset e brendshme kemi përdorimin e alternuar të mermerit dhe të granilit në shkallë, si edhe të pllakave dekorative.
Kjo godinë, përbën një nga shembujt e shumtë, që evokojnë një të vërtetë historike: ndikimin e arkitekturës italiane në hapësirën urbane të Vlorës, veçanërisht në gjysmën e parë të shekullit XX. Por, ajo, nga ana tjetër, përbën edhe një shtysë, për të gërmuar në të vërteta të tjera historike, që lidhen me këtë ndikim. Për këtë, eksploruam në tërësinë e të dhënave që na krijojnë tablon e planeve urbane të Vlorës, në fundin e shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX.
Vlora, qyteti i parë shqiptar me një plan rregullues, hartuar nga specialistët italianë
Ky fakt historik, vjen si rrjedhojë e një sërë faktorësh, ku nuk mungojnë edhe ata rastësorë. Por, mes tyre, spikat kontributi i jashtëzakonshëm i inxhinierëve, arkitektë dhe urbanistë italianë, të cilët, në të gjitha dekadat e pothuajse gjysmës së parë të Shekullit XX, ishin të pranishëm në Vlorë, fillimisht si pjesë e strukturave ushtarake italiane që u dislokuan në jug të Shqipërisë, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe më pas, si pjesë e misioneve të bashkëpunimit mes dy vendeve; Shqipërisë dhe Italisë.
Ky bashkëpunim, i shtrirë në fusha të ndryshme, ishte mjaft i prekshëm veçanërisht në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës urbane. Prapambetja që trashëgoi vendi nga pushtimi i gjatë turk edhe në drejtim të zhvillimit urban të qyteteve, shtronte domosdoshmërinë e një revolucioni të vërtetë në këtë drejtim. Qytetet ngjasonin më shumë me fshatra të mëdha, pa profil urban, ku dominonin godinat njëkatëshe, ku mungonin ligjësitë e zhvillimit, ku mungonin rrugët.
Në këtë realitet, bashkëpunimi mes dy vendeve ishte mjaft i dukshëm dhe intensiv. Nga kjo, Vlora përfshihet mes qyteteve që përfituan më shumë. Mund të thuhet pa mëdyshje, se, profili urban aktual i Vlorës, i ka rrënjët dhe kollonat, në planet e zhvillimit të gjysmës së parë të Shekullit XX, me autorë inxhinierë arkitektë e urbanistë italianë. Shqipëria aspironte të bëhej pjesë e Perëndimit dhe zhvillimi i qyteteve sipas modeleve perëndimore, përbënte një kusht. Prandaj dhe hartimi për herë të parë i një plani rregullues për qytetin, shoqëruar me rregulloren përkatëse për zbatimin e tij, është një moment shumë i rëndësishëm për Vlorën, në historinë e zhvillimit të saj urban, për të lënë pas të shkuarën e trishtë dhe për të hapur një dritare drejt modernizimit.
Ky moment i rëndësishëm, që nis në vitin 1916, lidhet me një ngjarje me mjaft impakt në jetën e qytetit të asaj kohe. Në korrik të vitit 1916, Pazari i Vlorës u shkatërrua nga një zjarr që mori përmasa të mëdha. Por, sikundër e përcakton edhe fjala e urtë “Çdo e keqe, e ka edhe një të mirë”, ky moment shërbeu edhe si pikënisje e atij që emërtohet Plani Rregullues, i pari në historinë e qytetit të Vlorës, por edhe të një qyteti shqiptar. Një plan rregullues modest, sigurisht, por gjithsesi, një plan që shënon edhe pikënisjen e urbanizimit sipas rregullave dhe studimeve të caktuara, të hartuara nga arkitektë dhe inxhinierë të shquar të kohës.
Janë inxhinierët dhe arkitektët italianë të Xhenios, të trupave ushtarake që ishin vendosur në rajonin e Vlorës gjatë Luftës së Parë Botërore, që hedhin bazat e kësaj epoke të re. Ata do të hartonin edhe mjaft studime dhe projekte për vepra publike, të cilat do të financoheshin me fonde të qeverisë italiane, në kuadrin e një bashkëpunimi që vazhdoi gjatë, deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë arsyetim, periudha e ndërhyrjes urbane me protagonistë inxhinierët urbanistë dhe arkitektët italianë, ndahet në faza të rëndësishme.
Së pari, është ajo mes viteve 1916-1920-të, që përkon edhe me pjesën më të madhe të kohës së pranisë ushtarake italiane në Vlorë, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Kjo fazë nis dy vjet pas 25 dhjetorit të vitit 1914-të, që shënon edhe hyrjen e trupave italiane në Vlorë.
Faza e dytë, përfshin harkun mes viteve 1920-1939, që lidhet edhe me periudhën e qeverisjes së Mbretit Zog, ndërkohë që, faza e tretë, përfshin atë të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë këtyre dy fazave, ndikimi i arkitekturës italiane ishte mjaft i spikatur edhe në qytete të tjera të vendit, duke përfshirë Tiranën, Durrësin etj.
Duhet theksuar se, pas një periudhe prej më shumë se 6 dekadash, pas tërmetit të fuqishëm që përfshiu qytetin në vitin 1851, Vlora, vlerësohej si një qendër urbane më përmasa modeste dhe që shtrihej në një hapësirë të kufizuar në këmbët e kodrave dhe, për paradoks, e larguar në një distancë të konsiderueshme prej rreth 2 km nga vija bregdetare dhe vetë porti. Megjithëse është i njohur parimi se, portet janë nyja nevralgjike e zhvillimit për qytetet bregdetare, Vlora dukej se bënte përjashtim. Por, ky realitet do të korrigjohej në vijimësi, kur, studimet urbanistike, që do t’i paraprinin zhvillimit të qytetit, do ta orientonin atë drejt perëndimit, pra, drejt vijës bregdetare.
Sipas studiuesit, Armand Vokshi, atmosfera e saj urbane përhapej sipas një sistemi kaotik e rastësor që derivonte nga konfigurimi morfologjik i terrenit të pjerrët, nga mënyra orientale e tipologjisë së ndërtimit dhe nga aspektet orientale të mënyrës së jetesës. Ndërtesat deri në fillim të viteve 1900, paraqisnin një arkitekturë me elementë të përzier midis arkitekturës vernakolare të traditës autoktone dhe elementëve rajonalë, apo atyre osmanë. Teknologjia e ndërtimit, limitohej në ndërtimet me gur, ose me qerpiç dhe objektet e banimit, zakonisht ishin deri në dy kate. Rrugët ishin të ngushta, të tërthorta, të shtruara me kalldrëm dhe nuk kishin një gjerësi standard në të gjithë trajektoren e tyre. Objektet e veçanta, që mund të bënin diferencën për nga pikëpamja arkitekturore e funksionale ishin ato të kultit, apo ndonjë ngrehinë modeste administrative, që cilat zinin pozicionet kyçe të qytetit.
Dhe, në të gjithë këtë ansambël të çrregullt, me interes shumëdimensional urban, ekonomik e social, ishte pazari i qytetit që, në këtë rast, në ndryshim edhe me mjaft qytete të tjera të asaj periudhe, nuk përputhej me qendrën administrative, megjithëse ishte në një distancë të afërt prej saj. Në këto kushte, tabloja e errët urbane dhe standardet minimale të higjenës, gjithashtu urbane, shtronin domosdoshmërinë e ndryshimeve të shpejta, që në fakt do të vinin dhe do e kishin zanafillën e tyre në ngjarjen që përmendëm në pikënisje, djegia e një pjese të madhe të pazarit.
Një vendim i këshillit administrativ të qytetit, për hartimin e një plani rregullues dhe të një rregulloreje që do ta shoqëronte atë, shërbeu edhe si pikënisja zyrtare e këtij procesi. Autor i këtij plani rregullues të qytetit, është inxhinieri ushtarak Paolo Giannoli, i repartit të xhenios. Në këtë plan, përcaktoheshin standardet e sigurisë, ato të higjenës urbane, të sistemit të qarkullimit, ndërkohë që në projektet për ringritjen e banesave të djegura, apo të dëmtuara, u përcaktuan kritere të reja dhe të ndryshme, të estetikës dhe të qëndrueshmërisë.
Ndërhyrja nisi me sistemimin e hapësirës së pazarit të dëmtuar nga zjarri dhe, duke u respektuar një pjesë e ndërtimeve ekzistuese, u kryen ndërhyrje të pjesshme për të kaluar më pas në perspektivën e zhvillimit të qytetit. Giannoli hodhi edhe piketat e para të zhvillimit të Vlorës në atë plan perspektiv drejt bregdetit, drejt pikës më të fuqishme të zhvillimit, që ishte porti. Nga ana tipologjike e konfigurimit urban, Giannoli kishte aplikuar një skemë racionale me objekte dhe me rrugë ortogonale, për të patur një shfrytëzim sa më të mirë të territorit, si dhe me skema fluide të qarkullimit, për një qytet që ishte në atë moment në një zhvillim të shpejtë demografik. Planin rregullues të vitit 1916, e pasoi ai i vitit 1923, kur në krye të zyrës së urbanistikës së bashkisë, ishte vendosur inxhinieri gjithashtu italian, Paolo Palleri.
Ndërkohë, ishin hedhur piketat dhe në vitin 1922, kishte nisur ndërtimi i rrugës Vlorë-Skelë, aksi kryesor i zhvillimit ekonomik, urban, arkitekturor, social i qytetit, i konceptuar si i tillë nga inxhinierët e trupave të Xhenios, që kishin hedhur bazat e realizimit të këtij projekti. Në periudhën 1920-të e në vazhdim, arkitektura vlonjate, ashtu si edhe ajo e vendit në tërësi, shfaqet me ndikimet e spikatura të dukurive arkitekturore italiane. Në vitet 1920-1930 shënohet periudha e kalimit nga stili modern i arkitekturës klasike, në atë modern.
Ishte koha kur edhe në Vlorë nisin të realizohen objekte që përfaqësonin dhe reflektonin frymën e re të arkitekturës, ndërkohë që, kjo dukuri shkonte në të njëjtën kahje me përpjekjet për të krijuar një fizionomi urbane bashkëkohore. Në vitin 1932 miratohet një plan rregullues më i avancuar i cili plotësohet në vitet 1934 dhe 1935, për të ardhur në vitet 1939-1943, e cila shënon edhe fazën kryesore të zhvillimit të urbanistikës, për periudhën e para vitit 1944.
Fillimi i periudhës 1939-1943, përkon me ardhjen në krye të Zyrës Qendrore të Projektimeve Urbane në Tiranë të Gherardo Bosio, një arkitekt i famshëm fiorentinas që kishte studiuar në Romë, i cili përgatiti edhe planin rregullues të Vlorës, që ishte mjaft modern dhe i avancuar për kohën. Në këndvështrimin e autorit, perspektiva e qytetit do të ishte bashkimi natyral me bregdetin duke ruajtur një lidhje të fortë funksionale me pjesën e vjetër të hapësirës urbane. Në këtë plan rregullues, që u realizua në vitin 1942, parashikohej intensifikimi i ndërtimeve në vijën bregdetare, Skelë-Uji i Ftohtë.
Në krahasim me planin e parë rregullues të vitit 1916, ai këmbënguli për një rrjet të pastër drejtkëndor që ndërthuret në mënyrë ortogonale, me rrugën Vlorë-Skelë.
“Ky aks, që ishte projektuar e ndërtuar po nga italianët në vitin 1916, merr vlerën e një elementi të fortë e gjenerues urban në formën e një bulevardi pothuajse monumental në projektin e Bosios”. (“Arkitekturat italiane të Vlorës 1916-‘43”. Viti 2016. Autor, Armand Vokshi ).
Në këtë mënyrë, krahasuar me fillim shekullin XX, në vitet 1939-’40-të, Vlora kishte profilin e një qyteti tërësisht të ndryshuar, i orientuar në linjat e një zhvillimi urban bashkëkohor dhe ku ishte investuar në infrastrukturë, në vepra dhe objekte publike, ku ishte ndërtuar ujësjellësi, kompleksi i spitalit me shtatë objekte, një numër godinash cilësore që edhe sot, përbëjnë krenarinë arkitekturore të saj.
Karakteristikat arkitekturore të kësaj periudhe
Duke ju referuar ndikimit të arkitekturës italiane në Vlorë në vitet 1920-të e në vijim, evidentohet fakti se, ajo ndjek rrjedhën e ndryshimeve që pëson arkitektura në vendin fqinj, në Itali. Kjo përforcohet edhe nga studiuesja Ariola Prifti, e cila shprehet se, “Vitet 1920-1930 janë një periudhë e kalimit nga stili modern i arkitekturës klasike në atë modern”.
E shprehur ndryshe, arkitektura, ose elementë të arkitekturës neoklasike, të aplikuara në një numër objektesh në qytetin e Vlorës, si në rastin e Pallatit të Komandës(Sot godina e Bashkisë), Strehimores për zyrtarët në lëvizje(Sot godina e Muzeut Historik), etj, nisën të zbehen për t’ua lënë vendin dominimit gradual të elementëve të rinj, që lidheshin me faktorë të ndryshëm, por që ruajtën linjat kryesore të stileve arkitekturore të mëparshme. Karakteristikat kryesore në banesat e ndërtuara në këtë periudhë, janë ballkonet në fasadën kryesore me kangjella metalike të punuara me ornamente të ndryshme, apo prej guri e betoni, të punuara me kolonada, verandat, grilat në dritare, dekoracionet e thjeshta të realizuara në formën e figurave gjeometrike, etj.
Nga pikëpamja e konstruktit, konstatohen përdorimi i kolonave dhe trarëve prej betoni, apo prej çeliku dhe përdorimi i soletave prej betoni në ndarjen mes kateve, si edhe përdorimi i tullave në ndërtim, apo vendosja e tyre në formën e gjysmëharkut në shina çeliku. Krahas këtyre, në mjediset e brendshme kemi përdorimin e alternuar të mermerit dhe të granilit në shkallë, si edhe të pllakave dekorative, ndërkohë që çatitë me tjegulla dhe të alternuara edhe me elementë dekorativë, janë gjithashtu një karakteristikë për ndërtimet e periudhës në fjalë.
“Arkitektët italianë realizuan hartimin e planeve rregulluese për qytetet e ndryshme të Shqipërisë, në të cilat përveç arkitekturës dhe urbanistikës racionale, respektohet psikologjia dhe tradita e shqiptarit, lidhur me pronën private. Arkitektura italiane ka një fond të pasur në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, Sarandë më pak në Elbasan dhe Berat. (Ariola Prifti. “Ndikime të arkitekturës dhe artit italian në trashëgiminë shqiptare të viteve 1925-1943”).
Kjo dukuri është e pranishme dhe karakteristike në mjaft ndërtime të realizuara pas viteve 1920-të në qytetin e Vlorës, ku, në pikëpamje arkitekturore, mjaft godina shfaqen si volume me planimetri me forma të çrregullta gjeometrike, rrjedhojë e përshtatjes me dimensionet dhe formën e pronës(truallit).
Në teknikat e ndërtimit, nisën të aplikoheshin elementë të avancuar, ndërkohë që suvatimi i jashtëm shërbeu si një mjet shumë i përshtatshëm për përpunimin dekorativ të ndërtesave. Suvatimi vlerësohej si një teknikë me një kosto më të ulët dhe mundësonte realizimin e formave dhe motiveve dekorative të shumëllojshme.
Guri, si element me funksion fortifikues dikur, nisi të përdorej në pjesët më të theksuara në trajtimin arkitektonik të ndërtesave, ndërkohë që, suvaja e zëvendësoi atë në elementet e tjera, si korniza, pilastra, qarkime dritaresh etj. Kështu, suvatimi dekorativ, i favorizuar edhe nga përdorimi në masë i tullës si material ndërtimi, u aplikua gjerësisht në banesa të kategorive të ndryshme të popullsisë, duke zëvendësuar në mënyrë graduale dekorimin me gurë të gdhendur.
Motivi që hasim më dendur në këtë aspekt, është ai i krijimit të një kornize të dalë në formën e një vetulloreje në pjesën e sipërme të hapësirës së dritares. Në të dy skajet dhe shpesh në mesin e kësaj kornize dalin pilastra, të cilat nuk shkojnë deri në fund të dritares, por duken sikur luajnë rolin e konsolave për mbajtjen e vetullores. Elementët dekorativë realizoheshin me kanelura, kornizime të dyfishta, me profile të lakuara, ndërsa në zbukurimin e dritareve u përdorën edhe frontonet trekëndëshe ose në formë harku, kornizimet e thjeshta të gjithë perimetrit etj.
Në trajtimin dekorativ në suva, mbizotërojnë linjat e drejta, por nuk mungojnë edhe motive më të ndërlikuara, si lule, stilizime gjethesh, imitime të dentikulave antike etj. Elementet prej guri të gdhendur janë përdorur në ato vende ku kërkohej një theksim arkitektonik ose paraqitës për ndërtesën. Në interier përdorimi i gurit ndeshet kryesisht në ndërtimin e oxhaqeve të dhomave të pritjes. Oxhaqet zakonisht punoheshin me gurë shtufi.
Harilla Koçi
Gazetar
Vlorë
—–