Rilindja e lagjes Muradie, ose qëndrës …
Rilindja e lagjes Muradie, ose Qendrës Historike të Vlorës
Sa herë del në dritë prej rijetëzimit ndonjë pjesëz e bukur e qytetit, që deri para se të restaurohej, të apasionuarve të rrjeteve sociale as nuk u binte ndër mend se ekzistonte, direkt fillojnë fotot dhe check in-et në Instagram. E njëjta situatë po ndodh edhe në Qendrën Historike të Vlorës ose e quajtur ndryshe Lagjja Muradie. Shumë e vizitojnë, shumë ndalojnë për të kaluar një mëngjes apo një pasdite të këndshme në baret dinjitoze të zonës e ndërsa të tjerë ndalojnë qoftë edhe për të bërë një foto. Deri këtu gjithçka shkon shumë mirë por kur përshkrimi në foto është bombastik i tipit: “PuertoRico në Shqipëri”, apo kur turistë të ardhur prej së largu të ndalojnë dhe të pyesin në mënyrë krejt të pafajshme: “Të lutem ku ndodhet lagjja me ngjyra”? Në fakt tingëllon sa qesharake, por dhe aq e trishtueshme, saqë arrin të kuptosh se vetëm një fjalë apo një përshkrim i gabuar e zhvesh gjithë zonën e cila në fakt është një ansambël historik dhe monument kulture nga identiteti i vet.
Lagjja Muradie është më shumë se një lagje me ngjyra ashtu sikurse Vlora është shumë më shumë sesa vetëm deti dhe riviera. Që të mos mbetemi te ngjyrat, por t`i japim identitetin e merituar historik kësaj zone vitale sot dhe shekuj më parë, le të merremi pak me brendinë historike të ndërtesave, brendi e cila flet më shumë dhe është shumë më e pasur sesa thjesht koloriti i tyre i theksuar si për të evidentuar edhe karakterin vlonjat. Kjo zonë përbëhet nga një ansambël ndërtesash të cilat datojnë në vitet 1700-1800 fillimisht një katëshe dhe më pas disave prej tyre iu shtuan katet e dyta dhe të treta. Zona përbëhet nga trotuare në të dyja anët me sistem ndriçimi dhe sistem kullues të ujit dhe me godina me çati. Pas realizimit të Reformave të Tanzimatit, familjet më të pasura vlonjate të asaj kohe filluan të zhvillonin në këtë hapësirë aktivitetet e para tregtare duke shënuar kështu fillesat e para të kapitalizmit në qytet.
Para shpalljes së Pavarësisë kjo njihej si “Rruga e kafeneve”, pasi këtu gëlonte jeta tregtare dhe ekonomike e qytetit dhe çdo njeri që vinte dhe mbaronte punët në Vlorë, ndalonte për një kafe. Pas shpalljes së Pavarësisë, zona dhe rruga morrën emrin “Liria”, pasi Ismail Qemali në këtë lagje kaloi natën e 27 nëntorit 1912, dhe disa ditë më vonë Isa Boletini me trimat e tij kaloi pikërisht te kjo hapësirë. Në vitin 1921 me vendim të këshillit bashkiak të Vlorës rrugës që kalon mes për mes zonës iu vendos emri “Justin Godard” për nder të këtij diplomati, juristi dhe politikani francez që mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, i cili u shpall edhe mik i vendit tonë. Në lagjen Muradie ndodhet Xhamia e kuqe, aty ndodhet edhe godina ku dikur ka qenë libraria e parë në Vlorë ajo e Ibrahim Shytit një koleksionist dhe atdhetar i vjetër i luftrave për pavarësi. Po ashtu këtu ndodhet edhe ndërtesa e bankës së parë e hapur në vitin 1850 nga familja e Bezhanajve. Dokumentat që e vërtetojnë janë gjetur në almanakët e Londrës dhe pas kësaj ndërtese janë edhe dëshmitë e ekzistencës së një punishteje ulliri.
Në zonë janë zbuluar disa puse të cilat pretendohet të jenë të lidhur me njëri- tjetrin dhe të kenë po ashtu ujë të pijshëm. Shumë pranë këtyre puseve ndodhen edhe katet e para të disa ndërtesave në pjesën e hyrjes së lagjes të cilat kanë shërbyer si hajate, ose si zona për të strehuar kuajt. Po ashtu në këtë zonë ka qenë edhe ndërtesa e klubit patriotik “Labëria” i themeluar në 1908 me kryetar Ismail Qemalin, sot Muzeu Etnografik i qytetit të Vlorës dhe jo shumë larg saj ndodhet edhe godina ku ka pas jetuar mësuesja dhe patriotia Marigo Posio. Prej restaurimit kanë dalë në dritë të gjithë elementët dekorativë të ndërtesës dhe po në këtë zonë ajo themeloi dhe shkollën e vashave pasi misioni i saj ishte ai i krijimit të gruas intelektuale shqiptare. Të mos harrojmë që këtu është xhiruar edhe një pjesë e filmit historik “Nëntori i dytë”. Shumë pranë ka qenë pallati i familjes Sharra, e cila në ndërtesën e saj hapi dyert për delegatët e Pavarësisë si dhe për funksionimin e disa ministrive të qeverisë së Ismail Qemalit. Dikur në kompleksin historik ka ekzistuar edhe një sinagogë e cila sigurisht ka qenë dëshmi e prezencës së komunitetit hebre në vendin tonë dhe mikpritjes vlonjate ndaj këtij komuniteti, prandaj edhe shumë pranë Muradies, ndodhet edhe lagjja e hebrenjve dhe ku shumë shpejt do të hapet muzeu i hebraizmit. Shumë pyesin… Përse Muradie? Në fakt nuk ka ende një shpjegim të bazuar mbi fakte, mendohet që këtu mund të ketë kaluar sulltan Murati, ose prej afërsisë që lagjja ka me dhe vazhdon të pulsojë zemra e qytetit. Muradia është një pjesëz e krenarisë vlonjate, e cila edhe këtë verë pret të eksplorohet. Këtë verë të pres në MURADIE!
MSc. Aurela Lamepetro Historiane / Muzeologe
15 Shtator, 2021
Link: https://travel-al.com/rilindja-e-lagjes-muradie-ose-qendres-historike-te-vlores/