Banesa Bezhani
BO2-Banesa Bezhani
Banesa e familjes Bezhani në rrugën “Justin Godard”, shënon pikënisjen e procesit të urbanizimit dhe modernizimit në këtë segment, ndër më të njohurit në historinë e qytetit të Vlorës dhe simbol i mjaft ngjarjeve me peshë mbarëshqiptare. Ajo shërbeu dhe shërben si një model urban e arkitekturor, si një model social dhe ekonomik, si një model historik e evokim vlerash të trashëgimisë.
Mentalitetin e ri të kësaj familjeje, e dëshmon edhe një fakt që vlerësohet mjaft interesant nga studiuesit. Banesa 3 katëshe, e ndërtuar në lagjen “Muradie” rreth vitit 1831, u sigurua në Trieste, në kompaninë e sigurimeve “Assigurazioni General Trieste”, çka përbënte një praktikë të re dhe të pahasur më parë në Vlorë, por ndoshta edhe në qytete të tjera të vendit.
Kjo banesë, që përbëhet prej tri godinash, që duket se ndahen nga koha e ndërtimit të tyre me vetëm pak vite, përfaqëson nga ana tjetër, historinë dhe shkëlqimin e një prej familjeve më të shquara në Vlorë, me kontribute në zhvillimin ekonomik, social, në lëvizjen patriotike për pavarësinë kombëtare, por edhe simbol i lindjes dhe promovimit të elementëve të kapitalizmit modern, në shkallë kombëtare, siç ishin prodhimi, ndërtimi, tregtia, eksporti, sfera bankare, tregu i sigurimeve etj.
Familja Bezhani solli për herë të parë në Shqipëri Bankën “Bezhani”, po ashtu dhe kompaninë angleze të sigurimeve dhe transportit “Lloyd London” (institucion financiar, sigurimesh, transporti etj), me aktivitet të përzier ku përfshihen edhe transfertat bankare, krijimi me të i një filiali të përbashkët, Scarpa-Bezhani, ku përfshihej edhe partneri italian Erminio Scarpa e kompania e sigurimeve “Assigurazioni General Trieste”. Këto përbëjnë elementë të rëndësishëm dhe të shfaqur për herë të parë në Vlorë, si pararendëse të zhvillimit të kapitalizimit, në një vend që ndodhej ende nën aureolën e fuqisë së perandorisë otomane dhe, ku, pavarësia do të shfaqej vetëm dekada më vonë. Bezhanajt mbërritën në Vlorë me një mentalitet të ri dhe me ambicje për të parë drejt Perëndimit, si mënyra e vetme për të synuar prosperitetin.
Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, godina ku ishte vemdosur “Lloyd London”, shërbeu dhe si një mundësi për fshehjen e hebrenjve të përndjekur nga ligjet raciale antisemitiste të kohës së luftës.
Stili arkitekturor i banesës, përcaktohet të jetë “neoklasik me elementë liberty”, të përzier edhe me elementë të tjerë që janë tipikë shqiptarë dhe që lidhen me traditën lokale në ndërtim, si edhe mentalitetin e jetesës, çka argumentohet me periudhën kur është ndërtuar dhe rindërtuar. Godina ka elementë të tipit të ri të banesës shqiptare, që erdhi si mohim i traditës së vjetër në ndërtim në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Unikale në këtë godinë është një baxha, që nuk gjendet në asnjë banesë tjetër, në formën e një pusi drite, që ndririçon shkallët e katit të dytë nga tavani. Baxhaja ishte një natyre te dyfishte, për ndriçim, në kushtet kur në Vlorë mungonin burimet e prodhimit të energjisë elektrike dhe dekorative panoramike duke qene që shikohej qielli nga korridori i katit të dytë duke hyrë ng atë dyja hyrjet.
Në 6 nëntor të vitit 1926, në katin e parë të saj është vendosur dega e Bankës Kombëtare Shqiptare duke vazhduar kështu traditën e nisur nga familja.