Banesa Dhimitriadhi

BN9-Banesa Dhimitriadhi

Vlora shfaqet si një destinacion i preferuar për komunitete, kategori sociale e entitete me origjinë të ndryshme, nga krahina e vende të tjera. Dhe, historia e familjes Dhimitriadhi, me origjinë nga Konica (Greqi), pronare e banesës në foto, përbën një dëshmi të kësaj karakteristike domethënëse për Vlorën e shekujve XIX dhe XX.

Koço Dhimitriadhi, zdrukthtari i njohur, ndoshta më i njohuri në Vlorën e dekadave të para të shekullit XX, mendohet të jetë ustai që ka realizuar shtizën e Flamurit të Pavarësisë, atij flamuri që ngriti Ismail Qemali në atë pasdite të 28 Nëntorit të vitit 1912. Kjo vepër e tij nuk u përmend asnjëherë. Por, nuk humbi. Ajo u përcoll gojarisht nga një brez në tjetrin, si një fakt që lidhej me një emër të nderuar në komunitetin vlonjat, i cili respektohej nga bashkëqytetarët për urtësinë dhe punën e palodhur.

Objekti daton në gjysmën e dytë të shekullit XIX, diku në vitet 1870-1880-të, por, historia e dokumentuar e tij, nis në vitin 1902. Muratura e jashtme me gurë shtufi dhe përdorimi i çatmasë në ndarjet e brendshme, si teknika ndërtimore të hershme, dëshmojnë për vjetërsinë e kësaj godine e cila, në këndvështrimin arkitektonik përfaqëson periudhën kur, banesa qytetare në përgjithësi, shkëputet qartazi nga tipologjia dhe përgjithësisht karakteri i banesës paraardhëse, e ndikuar nga stili arkitekturor otoman. 

Për më shumë se 8 vite, në të ka qenë vendosur shkolla fillore në gjuhën italiane.