Banesa e familjes “Karbunara”
BO34-Banesa e familjes “Karbunara”
Banesa, që i përket atdhetarëve të shquar, Kristo e Kolë (Nikollë) Karbunara, u ndërtua në vitet 1885-1890, nga mjeshtrat e kohës në ndërtim, brigadat e ustallarëve nga Korça e Panariti, që kanë aplikuar teknikën me muraturë të lidhur me llaç gëlqere.
Godina dy katëshe me mure prej guri, të sjellë nga guroret e Beratit, përfaqësonte një nga strukturat më tërheqëse për kohën dhe dallonte nga ndërtesat përreth, për shkak të arkitekturës dhe zgjidhjeve të tjera funksionale.
Arkitektonikisht, ajo përfaqëson banesën qytetare të tipit të ri me zbehje të theksuara të elementëve të traditës së vjetër në ndërtim. Tek kjo godinë spikasin, simetria në strukturë dhe ekuilibri mes pamjes së jashtme dhe hapësirës së brendshme, dritaret e gjera dhe të bollshme, të mbuluara me arkitra dhe grilat prej druri.
Dy vëllezërit, Kristo e Kolë Karbunara, janë dy emra të njohur të lëvizjes për liri e pavarësi kombëtare. Ata shfaqen në krah të personazheve më të spikatur për veprimtarinë patriotike në Vlorën e fundshekullit XIX dhe të fillim shekullit XX. Pas veprimtarisë së të tyre patriotike, të reflektuar në sjelljen e librave dhe botimeve në gjuhën shqipe, duke shfrytëzuar aktivitetin tregtar dhe kolonitë e mërgimit në vende të ndryshme, vëllezërit Karbunara, u përfshinë në konsolidimin e lëvizjes kundër pushtimit otoman, siç ishte organizimi i shoqërive të njohura, mes tyre Klubi Patriotik “Labëria”. Kristo Karbunara, shfaqet edhe si kryetar i këshillit të komunitetit ortodoks në Vlorë, në periudhën e viteve ’20-të, të shekullit XX. Një tjetër figurë e rëndësishme e kësaj familjeje, është dhe Vangjel Karbunara, një nga 3 djemtë e Kristo Karbunarës. Ai ishte ndër studentët më të mirë të brezit të tij në “Catholic University of the Sacred Heart” (Milano), shok kursi me ish presidentin e Italisë, Oscar Luigi Scalfaro, me të cilin u ritakua në vitin 1994 në Romë.