Banesa e familjes Kuçi
BO14 - Banesa e familjes Kuçi
Banesa e familjes Kuçi, në rrugën “Justin Godard”, evokon në mënyrë të individualizuar, emrin dhe aktivitetin e avokatit të shquar vlonjat, Avdul Kuçi, autor i Ultimatumit të Luftës së vitit 1920, protagonist në lëvizjet patriotike dhe shoqërore, në Vlorën e pas vitit 1915, deri në vitin 1945, kohë kur u pushkatua nga regjimi i kohës.
Ish kazerma e ushtrisë turke, e ndërtuar diku në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u rindërtua në vitet 1915-1917, me porosi të familjes Harxhi, duke u shndërruar në një nga godinat më të bukura të kësaj rruge, nga kryemjeshtri Hasan Mjalti (Usta Hasani), një nga emrat më të shquar në fushën e ndërtimeve në Vlorën e atyre viteve.
Profili arkitekturor i kësaj banese, në pjesën klasike të saj, është i stilit otoman, me ndikime të traditës qytetare vlonjate, kryesisht në konceptimin e hapësirës së brendshme të godinës, në funksion të kushteve të përmirësuara të jetesës dhe mentalitetit qytetar të kohës.
Karakteristikat e stilit otoman evidentohen në fasadën e godinës, nga ana e rrugës, ku spikasin kornizat prej guri të gdhendur bukur të dyerve dhe dritareve, si dhe ornamentët kornizorë që përshkojnë këtë fasadë në forma katrore e drejtkëndore, asimetrike.
Me historinë e banesës, lidhet edhe aktiviteti i atdhetarëve të njohur si Fan Noli, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi e Halim Xhelo. Figura të tilla u mblodhën më vonë dhe zhvilluan përgatitje për Organizatën së Fshehtë të Vlorës, e cila synonte rrëzimin e mbretit Ahmet Zog dhe të vetë Mbretërisë Shqiptare. Kështu, banesa e avokat Avdul Kuçit, mund të cilësohet edhe si një arkivë kujtese për ngjarje e personazhe, që kanë mbetur në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë.