Banesa e Seit Qemalit

BO40-Banesa e Seit Qemalit 

E ndërtuar në vitet ’50-të-’60-të të shekullit XIX, nga Musa Seiti, ajo përfaqëson një nga ndërtimet e realizuara në një moment të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror në Shqipëri, ku pasqyrohet një lloj kapërcimi nga tipat e banesës tradicionale shqiptare, në atë me çardak të mbyllur, ku elementët e stilit arkitekturor otoman, janë në zbehje, çka shfaqet në dekorimin e thjeshtë të fasadës me ornamentet zbukuruese, pa ndërlikime, me forma të rregullta gjeometrike.

Ndërtesa është e mbyllur dhe, në variantin e saj fillestar, është shfrytëzuar teknika me skelet druri, e cila lejonte një liri më të madhe kompozimi të hapësirës së brendshme dhe mundësi më të mëdha të shfrytëzimit të saj, duke rritur sipërfaqen e dhomave përmes zgjidhjeve të larmishme në ndarjen e tyre. 

Pamja e jashtme është barazisht e përpunuar me brendësinë, çka do të thotë se, dekoracioni në këto dy aspekte është thjeshtuar, duke i dhënë prioritet anës funksionale. Kështu, suvatimi dhe përdorimi i kornizave prej druri në dritare, zvogëlimi dhe mbyllja e strehëve, kanë gjallëruar pamjen e jashtme të banesës, gjë që ka zbehur karakterin monumental dhe ka spikatur atë piktoresk.

Me këtë banesë lidhet emri i Seit Qemalit, atdhetar, politikan, veprimtar shoqëror, që vlerësohet si një nga figurat më interesante në gjysmën e parë të shekullit XX.