Godina simbol e stilit arkitekturor austriak

AO29-Godina simbol e stilit arkitekturor austriak 

Godina në foto, ku, për dekada me rradhë ishte vendosur MAPO-ja e madhe e qytetit të Vlorës, është një tjetër simbol për qytetin. Kjo ndërtesë, është blerë në mars të vitit 1905, prej vëllezërve Sorra me origjinë nga Tirana e banues, prej vitit 1893, në Vlorë. Për mjaft vite ka shërbyer si një nga hotelet luksoze në qytet, ku, në fund të vitit 1913, u vendos rezidenca e Konsullatës së Bullgarisë pranë Qeverisë së Ismail Qemalit. 

Ka dy versione për periudhën e ndërtimit të saj. Sipas versionit të parë, godina është ndërtuar në fund të shekullit XIX, diku në vitet 1880-1885 dhe pronari i parë i saj, njëkohësisht porositësi, është një tregtar austriak me banim në Trieste (Itali). Ndërkohë, sipas një varianti tjetër, Zoti Ganxhilik, e ka rikonstruktuar dhe përshtatur në një stil arkitekturor të kohës, godinën e ndërtuar në vitin 1827.  

Objekti ka një planimetri trapezoidale të çrregullt, me një sipërfaqe 250 metra katrorë, me strukturë prej betoni dhe muraturë guri e tulle. Arkitektura i përket stilit neoklasik, por me tendencë të theksuar drejt atij modern, ku dominojnë linjat e drejta, me dekoracion asimetrik të thyer. Në të shihen ndikimet e stilit austriak dhe italian.