Simbol i transformimit të arkitekturës
AO4-Simbol i transformimit të arkitekturës
Godina (fillimisht pronë e familjes Lamani e mb pas e familjes Papa), u ndërtua në vitin 1925, që përkon me periudhën kur stili arkitekturor neoklasik modern po zëvendësohej nga stili modern. Ajo konsiderohet si monument kulture i kategorisë së I.
Banesa ka një lartësi prej 10.5-11 metra dhe është një nga objektet më përfaqësuese në qytet për vlerat arkitektonike. Ajo ka një planimetri në formën e një trapezi të çrregullt dhe shfaqet si përzierje e ndikimit të arkitekturës italiane, me traditën lokale në ndërtim. Ajo çka e bën ndërtesën tërheqëse është suvatimi, një teknikë e cila nisi të përdorej në vitet 20 dhe i jepte mundësi ndërtuesve të realizonin një dekoracion të larmishëm me një kosto të ulët. Godina përfaqëson një moment mjaft të rëndësishëm, jo vetëm të ndërtimit por edhe të zhvillimit të arkitekturës në qytet.
Në fasadë spikasin dy ballkone të realizuara respektivisht, me kangjella metalike të punuara me ornamente të ndryshme, prej guri e betoni, të zbukuruara me kolonada dhe një kornizë e dalë në formën e një vetulloreje në pjesën e sipërme të hapësirës së dritareve si edhe në tarracë.
Familja Papa, pronare e kësaj godine, mbahet si një nga familjet e rëndwsishme tregtare të qytetit me biznesin e tyre të njohur si “Fratelli Papa”.